Ndeshja me yjet e Madridit do të luhet për
bamirësi. Taçi jep edhe 50 mijë euro në ndihmë të shkodranëve.
Një miqësore për bamirësi do të jetë ajo mes Gramozit dhe Realit të Madridit që
do të luhet më 20 janar në Tiranë. Kompania "Taçi-Oil”, e cila është edhe
organizatore e këtij takimi, ka vendosur që të gjitha përfitimet nga biletat që
do të shiten për këtë ndeshje, do të kalojnë në ndihmë të banorëve të përmbytur
në zonën e Shkodrës dhe të Lezhës. Zv/presidentja Anika Taçi që është e motra e
presidentit Rezart Taçi e ka konfirmuar një gjë të tillë në konferencën e
djeshme për shtyp. Deri një ditë më parë, përfitimet nga biletat do të shkonin
në llogari të kompanisë. Përveç kësaj, "Taçi-Oil” do të kontribuojë edhe me 50
mijë euro shtesë për të përmbyturit në veri të Shqipërisë.
Taçi Oil – "Kompania jonë, ashtu si edhe shumë të tjera, ka vendosur ti
qëndrojë pranë banorëve të zonave të prekura nga kjo katastrofë natyrore, duke
vënë në dispozicion shumën prej 50 mijë eurosh me shpresën dhe urimin që kjo
t’i lehtesojë sado pak dhimbjet e tyre. Për më tej, menduam ta përshkallëzojmë
këtë kontribut. Ashtu siç jeni në dijeni, pas pak ditësh Tirana do të mirëpresë
skuadrën prestigjoze të Real Madridit në një ndeshje miqësore. Të gjitha të
ardhurat që do të realizohen nga shitja e biletave të kësaj ndeshje, do t’i
kalohen tërësisht familjeve të përmbytura”, ka deklaruar dje në konferencë për
shtyp, zv/presidentja e kompanisë "Taçi-Oil”, Anika Taçi.
Miqësorja – Më 20 janar, në orën 18:00 në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa”,
"galaktikët” do të luajnë një ndeshje miqësore kundër skuadrës së Gramozit. Në
Tiranë do të mbërrijë e gjithë skuadra e Realit që ka në përbërje yje si Kaka,
Kristiano Ronaldo, Raul, Kasijas, Benzema e shumë të tjerë. Përballë nuk do të
kenë Gramozin e vërtetë. Skuadra që do të ndeshet me një prej skuadrave më të
mëdha në Europë, do të jetë e përbërë nga futbollistët më të mirë që do të
grumbullohen nga të gjitha skuadrat e Superligës. Reali do të mbërrijë në datën
20 rreth orës 11:00 në kryeqytetin shqiptar dhe paradite do të zhvillohet një
konferencë për shtyp ku do të flasin Kaka, Kristiano Ronaldo dhe presidenti
Florentino Perez.
Trofeu – Kjo është hera e tretë që do të zhvillohet trofeu "Taçi-Oil”. Në dy
kompeticionet e para, mori pjesë Milani. Në ndeshjen e parë, kuqezinjtë u
mundën 2-1 nga skuadra e Tiranës. Në ndeshjen e dytë, italianët fituan me
penallti ndaj një seleksioni të Kombëtares shqiptare. 90’ përfunduan në barazim
3-3. Këtë radhë, presidenti i kompanisë "Taçi-Oil”, Rezart Taçi, vendosi që të
sjellë Realin që do të përballet me Gramozin.
Sport ekspres date 10/01/2010
Publikoje ne rrjetet sociale :