HIMNI
I GRAMOZIT
 


Kreu Registration RSS
Ndeshja e fundit
Menu
ne facebook
Ndeshja e ardhshme

kerko
sondazh
Mendoni se GRAMOZI mund te ngjitet perseri ne superiore ???
Total of answers: 375
Lidhu
Statistika

Gjithesej Online 1
Vizitore 1
Perdorues 0
ne youtube


Main » 2010 » Qershor » 6 » Gramozi luan ndershmërisht, por bie nga kategoria .
23:21
Gramozi luan ndershmërisht, por bie nga kategoria .
Kolonjarët shkruajnë historinë me pjesëmarrjen në superligë, por nuk arrijnë dot të mbijetojnë
Kolonjarët, pas një sezoni të gjatë në superligë, për herë të parë në historinë e tyre, duke luajtur ndershmërisht, nuk kanë mundur dot që në fund të sezonit të arrijnë objektivin e vënë nga presidenti Mustafa Taçi, qëndrimin në kategorinë e më të mirëve.
Taçi shpenzoi një shumë të konsiderueshme për të qëndruar në superligë, por në fund nuk ia doli mbanë, kjo për disa arsye, ku ai ka më pak faj. Edhe pse Taçi u mundua të afronte lojtarë cilësorë, të gjithë të njohur në superligë, përsëri kolonjarët nuk arritën dot që në fund të sezonit t’i shpëtonin vendit të fundit, ku rezultatet kanë qenë të pakënaqshme.
Një faktor tjetër për daljen e Gramozit nga superiorja, sipas drejtuesve të klubit, kanë qenë edhe padrejtësitë që i janë bërë këtij ekipi nga ana e gjyqtarëve, një fakt i shprehur edhe nga shumë specialistë e drejtues klubesh. Vërtet Gramozi ishte debutues, por në pjesën e parë të sezonit ai nuk u shfaq kurrë i tillë.
Madje edhe në fund, kur kishte dalë nga gara e mbijetesës, luajti ndershmërisht, edhe pse dikujt nuk i pëlqente. Një sezon që tashmë është shkruar në historinë e këtij klubi.
Ishte pjesëmarrja e parë në kategorinë e më të mirëve dhe pa dyshim që Gramozi ka lënë gjurmët e veta, paçka se në fund të sezonit ai është renditur i fundit, kjo për shumë arsye, disa prej të cilave i përmendëm më lart.
Afrimi i lojtarëve, Qirjako mbetet trajner
Gramozi vinte nga kategoria e parë dhe normalisht nuk kishte eksperiencë. Drejtuesit e ekipit u munduan që të mbajnë një pjesë të mirë të lojtarëve, por kuptohet, vetë nevojat e superligës bënin që një pjesë e mirë e lojtarëve që kishin luajtur në kategorinë e parë të largoheshin. Dhe në ekip u afruan disa lojtarë të tjerë. Kështu, vijnë në ekip tre kosovarë, Babaj, Kukaj dhe Hyseni.
Vjen Rustemi nga Vlora, Semina nga Shkodra dhe disa të tjerë. I besohet të njëjtit staf teknik dhe do të ishte Ilir Qirjako që do të drejtonte sërish ekipin kolonjar, duke e njohur me detaje ambientin. Me një tifozëri të zjarrtë, me një presidenti korrekt, puna vijoi normalisht dhe gjithçka u ndërtua mirë në fillim të sezonit.
Starti nis me barazime, pastaj dy humbje
Duke bërë një rezyme të shkurtër, duke filluar që nga java e parë e kampionatit, mund të themi se Gramozi e ka filluar shumë mbarë sezonin, ku në dy takimet e para, nën drejtimin e trajnerit Ilir Qirjako, arriti të marrë dy barazime, ku ai i transfertës së Laçit, në javën e dytë, u duk sikur Gramozi do të ishte surpriza e superligës, por nuk vazhdoj shumë ky gëzim, pasi në javën e tretë kolonjarët u ndëshkuan në fushën e vet nga ekipi i Tiranës me rezultatin 1 0, ku gjyqtar ishe lezhjani Hoxha, ku nga drejtuesit e klubit ky gjykim u diskutua shumë.
Kjo bëri që një javë më vonë, në derbin e prefekturës me Skënderbeun, kolonjarët të pësonin humbjen e parë me rezultat të thellë, 4 1 në Korçë. Një humbje që u duk se do ta rëndonte ekipin kolonjar, madje të gjithë menduan se ky Gramoz nuk mund ta përballonte dot garën në superligë, kur në fakt kishte edhe ekipe të tjera që ishin po në atë nivel deri në javën e katërt.
Regjistrohet fitorja e parë në superligë
Por një javë më vonë kolonjarët do të regjistronin fitoren e parë në superligë, që për ta ishte domethënëse, pasi ajo u mor ndaj fituesit të Kupës së Shqipërisë, Flamurtarit. Fitorja 2-0 nuk të linte dyshim për asgjë dhe kolonjarët fillojnë të besojnë te vetja. Ka qenë një moment kyç për kolonjarët, të cilët për herë të parë filluan të besojnë se ky ekip mund t’ia dalë, madje edhe ndaj ekipeve me emër. Synimi ishte i qartë, të paktën në Ersekë duhej të fitohej patjetër, në mënyrë që pikët më të shumta të merreshin në shtëpi dhe pastaj ndonjë pikë jashtë fushe nuk do të ishte keq.
Canaj merr "frenat” e ekipit kolonjar
Edhe pse ka fituar ndaj Flamurtarit, drejtuesit e Gramozit e panë të arsyeshme që Qirjako të kishte një rol tjetër në ekip dhe tjetërkush ta merrte drejtimin e tij, duke ia lënë në dorë një njeriu që ia dinte më mirë superligës. Pas këtij rezultati pozitiv ka ardhur edhe ndërrimi i trajnerve, ku vendin e Qirjakos e ka zënë trajneri Agim Canaj, ndërsa nga presidenca kolonjare u deklarua se Qirjako do të punojë me Canajn, për arsye se ky trajner ka përvojë në superligë, por ky ndryshim duket se nuk ndikoi për mirë, pasi Qirjako nuk pranoi të qëndronte më pranë ekipit. Ndoshta ishte kjo ftohje e kotë që do të ndikonte më pas dhe arsyeja më e vogël që solli rënien, pasi arsyet madhore tashmë dihen. Canaj e ka nisur javën e parë të tij te kolonjarët duke barazuar me Besën 0 0.
Ky barazim nuk i tronditi shumë kolonjarët, por rezultatet sa vinin dhe nga java në javë nuk po sillnin rezultat, kjo edhe për shkak të gjykimeve të njëanshme që po i bëheshin Gramozit, duke e parë si ekip të vogël, por për kolonjarët më shqetësuese ka qenë humbja e thellë në Fier me rezultatin 3 0. Më pas barazojnë me Kastriotin në Ersekë, një hap fals. Humbja me Dinamon edhe ishte menduar një javë më vonë, ndonëse jo në shifra të tilla. Por shpresat dhe besimi për sportdashësit kolonjarë do të rriteshin përsëri pas fitores në Ersekë me Teutën.
Takimi me Laçin, një skandal gjykimi
Pas këtyre takimeve, ka ardhur edhe humbja që nuk pritej ndaj Laçit. Jo se Laçi nuk mund të fitonte, por nga mënyra se si u gjykua ai takim. Me një gjykim tepër skandaloz të gjyqtarit Meta, ku publiku nuk mundi dot ta kapërcente këtë situatë, duke u "hakmarrë” ndaj arbitrave me gjeste josportive, ku edhe fusha e Ersekës u pezullua dy javë.
Më pas kolonjarët edhe pa tifozë arritën që të triumfojnë në shtëpi ndaj Skënderbeut e Apolonisë, por pas këtij takimi kolonjarët nuk arritën dot që të ngjitin më shkallë në klasifikim, duke shkuar nga humbja në humbje dhe në fushën e vet, ku gjykimet kanë qenë të njëanshme, duke filluar që nga takimet me Dinamon, Vllazninë, Skënderbeun dhe Kastriotin, duke humbur në çdo takim në fushën e vet.
Gramozit i mohohet një penallti, me Laçin tri të tilla, në Vlorë u dha një penallti 1.5 metra jashtë zone, në Kavajë iu mohua një penallti 1.5 metra brenda zone, me Dinamon të paktën 2 penallti, në Durrës një penallti që në sekondat e para, me Vllazninë po ashtu. Të gjitha këto, nëse do të konvertoheshin në pikë, i binte që Gramozi në fazën e tretë të mos futej pa objektiv.
Lojë të ndershme deri në fund të sezonit
Faza e tretë ka qenë më e vështira për kolonjarët, ku përveç trukimeve, që filluan t’u bëheshin ndeshjeve, skuadra kolonjare ka luajtur e vetme ndaj gjithë ekipeve të superiores, ku shumicën e takimeve e ka luajtur pa spektatorët e vet, pas dënimit të fushës në takimin me Skënderbeun. Pas këtij takimi pothuaj kolonjarët i prenë shpresat për të qëndruar në superligë.
Megjithatë, si trajneri Canaj, edhe presidenti Taçi, kanë kërkuar që të luhej ndershmërisht deri në fund dhe pas gjithë atyre rezultateve të dobëta, do të vinte fitorja në javën e fundit ndaj Apolonisë, duke e marrë me vete edhe ekipin fierak. Kolonjarët, edhe pse luajtën vetëm një sezon në kategorinë superiore, treguan ndershmëri dhe shpirt të lartë gare në superligë, duke lënë përshtypjet më të mira. Gramozi, pavarësisht se nuk arriti dot të mbijetonte në superligë, la gjurmë, pasi ishte ekipi që luajti më ndershmërisht, në një kampionat që u përfol shumë, sidomos në fazën e tretë.
Kupa, Gramozi eliminon fituesin në fuqi
Ndryshe nga kampionati, në Kupën e Shqipërisë Gramozi ka pasur një ecuri disi më të mirë. Themi kështu, pasi ka eliminuar Flamurtarin, fituesin në fuqi të këtij kompeticioni. Por edhe në çerekfinale kolonjarët do të linin gjurmë. Përballë Teutës ata barazuan dy herë dhe vetëm goli në fushën kundërshtare i eliminoi. Kujtojmë që takimi i parë ishte zhvilluar në Elbasan dhe jo në Ersekë, me një tjetër gjykim skandaloz kundër kolonjarëve. Nëse ndeshja do të ishte luajtur në Ersekë, nuk do të ishte çudi që Gramozi të kishte dalë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.
Kulmi, Gramozi përballë Realit të Madridit!
Çdo shqiptar e mban mend atë përballje historike me Realin e Madridit. Edhe pse askush nuk e besonte në fillim, Gramozi i Ersekës ka luajtur përballë Realit të Madridit. Themi Gramozi, por në fakt ka pasur jo pak ndërhyrje nga lojtarët e ekipeve të tjera që atë ditë të ishin me fanellën kolonjare, vetëm për të luajtur pak minuta kundër yjeve të botës. Bukurinë e këtij takimi ndoshta do ta prishte pak ikja e dritave, por gjithsesi për Gramozin ishte një tjetër ngjarje historike. Kolonjarët edhe një herë tjetër u ndjenë krenarë për presidentin e Gramozit, zotin Taçi.
Për superligën, numri 1 i kolonjarëve afroi garanci financiare, por pak lojtarë e vlerësuan këtë fakt
Presidentit Taçi nuk i bën punë korrektësia
Kur ekipi kolonjar hyri në histori në fund të majit të kaluar, duke u ngjitur në superligë për herë të parë, presidenti i tij, Mustafa Taçi, premtoi një Gramoz dinjitoz edhe për elitën e futbollit shqiptar. Ai pranoi të investonte vetëm për ekipin e vendlindjes së tij, duke iu përgjigjur thirrjes së zemrës, madje tentoi ta mbante në nivelet më të larta, por për shumë arsye dhe faktorë të jashtëm kjo do të ishte shumë e vështirë. Natyrisht, presidenti Taçi e kishte të qartë se duhej të bënte përforcime për një Gramoz kompetitiv.
Presidenca kolonjare krijoi kushte optimale për përgatitjen e ekipit të ri, duke e mbajtur atë për tri javë në Strugë, ndërkohë që stafi teknik u përpoq të merrte disa futbollistë me vlera. Presidenti Mustafa Taçi dhe bashkëpunëtorët e tij hasën në vështirësinë e marrjes së futbollistëve cilësorë në Ersekë, për shkak të largësisë gjeografike, por edhe të mungesës së përvojës nga ekipi kolonjar.
Si për t’i balancuar gjërat, por edhe për vetë temperamentin e tij, numri 1 i Gramozit afroi garanci financiare, por jo kontrata të çmendura, ashtu sikurse e përkthyen seriozitetin e tij disa futbollistë "shëtitës” të kampionatit shqiptar. Në merkaton e verës dhe në atë të dimrit, ai nuk kurseu asgjë, duke marrë disa futbollistë, por fundi i kampionatit ishte mjaft i hidhur për presidentin kolonjar, i cili ndoshta nuk i kishte menduar kurrë ato që ndodhën gjatë sezonit të fundit.
"Bosi” i Gramozit është shprehur shpesh se nuk do t’i harrojë kurrë "masakrat” që i janë bërë sistematikisht ekipit të tij, madje edhe në Ersekë, duke provokuar shpesh incidente të panevojshme. "Ishte një kampionat i turpshëm, ku u bënë pazare në mes të sheshit dhe ekipi ynë u dëmtua më shumë nga të gjithë. Kemi investuar me seriozitet për Gramozin, por të tjerët nuk na kanë lënë të marrim frytet e punës tonë.
Estradën e kanë parë të gjithë, sepse është bërë në mes të ditës, por ne jemi të ndërgjegjshëm, sepse kemi luajtur ndershmërisht gjatë gjithë kampionatit, pa asnjë kompromis.” Ky qëndrim është thënë disa herë nga presidenti Mustafa Taçi, i cili u solli sportdashësve shqiptarë edhe Realin e Madridit në Tiranë. Tani që gjithçka është mbyllur, duke lënë pas një shpresë të vakët në lidhje me ndryshimin e strukturës, presidenti kolonjar ka ripohuar mbështetjen për ekipin e vendlindjes.
Trajneri i Gramozit, Agim Canaj, përmend edhe një herë estradën që u bë në kampionat, duke e njollosur atë
Canaj: Duhet fshirë nga kujtesa ky sezon
"Ajo që dua të theksoj pas këtij kampionati është niveli i ndershmërisë sonë, edhe pse në fund nuk ia dolëm. Me të drejtë jam shprehur shumë herë se ky ka qenë kampionati më i dobët i gjithë karrierës sime si futbollist dhe si trajner.
Mbase duhet ta fshij nga kujtesa këtë kampionat të neveritshëm, që nuk i vlejti për asgjë futbollit. Kjo neveri disa i kënaq, sepse janë mësuar me këtë llum, por në fund të fundit futbolli duhet shpëtuar, sepse ky llum, po u bë vullkan, është e vështirë të ketë ujë që ta shuajë. Prandaj unë jam i mendimit që të gjitha levat e federatës duhet ta analizojnë me shumë kujdes dhe në fund të fundit ajo që duhet të ngelë është futbolli i pastër, i cili edhe një herë duhet të kthejë tifozët nëpër stadiume, sepse besimi i tyre është vrarë.
Ka ardhur në atë moment që në fushat ku ka tifozë, siç është Erseka, të mendohet ndryshe. Vetë ekipi kampion nuk ka tifozë që ta ndjekin, çka është mjerane për të gjithë ata që e duan futbollin.” Kështu e etikon këtë sezon trajneri i Gramozit, Agim Canaj, i cili vijon më poshtë: "Ata që vendosin rregullat dhe ata që drejtojnë futbollin, duhet të jenë mjaft rigorozë. Si në çdo fushë tjetër shqiptare, politika po e gllabëron futbollin për interesat e veta.
Por kjo nuk do të thotë se futbolli do të vazhdojë kështu. Unë kam besim te njerëzit që e drejtojnë dhe presidenti i saj, që mori votat për herë të tretë. Ai duhet të heqë perden e zezë dhe të shtrojë alternativat për ndryshimin e strukturës. Të rregullohet sa më parë kjo çorbë që është gatuar dhe të mendohet sa më shpejt për të gjetur rrugëdalje.
Të bëhet e mundur që ky kampionat të rivihet në shina sa më shpejt, për të rikthyer tifozët me një lojëra të ndershme, të cilat të justifikojnë gjithë dashamirësinë e atyre njerëzve që e duan. Futbolli është bërë për spektatorët, nuk është bërë as për politikanët, as për drejtuesit e federatës, por për ata që u dhimbset vërtet ky futboll,” - përfundon trajneri i Gramozit, Agim Canaj, i cili nuk dihet nëse do të qëndrojë te ky ekip. Ai ka marrë një ofertë konkrete nga Vllaznia, por për momentin asgjë nuk ka vendosur.
Në fakt, nuk dihet se si do të marrë rrjedha e strukturës së kampionatit dhe ndoshta këtë është duke pritur edhe Canaj, pasi nëse Gramozi do të qëndronte në superligë, ai bashkë me Taçin me siguri që do të ngrinin një ekip me pretendime më ambicioze dhe jo vetëm për të qëndruar në kategori.
Views: 127 | Added by: oTr-si | Tags: por bie nga kategoria, Gramozi luan ndershmërisht | Rating: 4.0/1
Total comments: 0
Only registered users can add comments.
[ Registration | Login ]